Tetori shënoi dhe zbatimin e vendimit të qeverisë për të indeksuar pensionet në masën 2.5%. Përfitues janë mbi 721 mijë pensionistë në të gjithë vendin, ndërsa efekti financiar arrin në 1.14 miliardë lekë.

Por si është kjo masë indeksimi në raport më vitet e tjera? Të dhënat flasin se masa 2.5% është më e ulëta e viteve të fundit, ndërsa kjo normë indeksimi lidhet me indeksin e inflacionit të shportës së pensionistëve.

Suzana Guxholli, eksperte ekonomie, e ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus tha se indeksimi është si ajri, i domosdoshëm për pensionistët. Qëllimi është që të ruhet sadopak fuqia blerëse e të moshuarve, teksa çmimet rriten.
Shtesa e pensioneve sipas këtij indeksimi është minimaliste, gati e papërfillshme në pensionet rurale, ndërsa maksimalja e rritjes së pensionit për atë urban, arrin në 500 lekë në muaj.
“Qytetarët vetë e kuptojnë më mirë se indeksimi është minimalist dhe shumë larg ofrimit të një jetë dinjitoze për ta. E thënë më thjesht, indeksimi 2.5% do të thotë të blesh një bukë, 100 gram djathë si dhe një domate”, tha Guxholli në Vizion Plus.
Indeksimi nuk konsiderohet rritje. Deri më tani nuk ka patur rritje pensionesh, vetëm indeksim dhe bonuse. Por edhe pse të dhënat flasin se kemi rritje të qëndrueshme ekonomike dhe se buxheti del me sufiçit herë pas here, pse kategoria e të moshuarve nuk e ndjen këtë rritje?
“Kjo situatë ka bëjë me rishpërndarjen e parave. Rritja ekonomike në Shqipëri është e fokusuar te sektorët e shërbimit dhe jo të prodhimit. Mbi të gjitha një rritje ekonomike 3-4% është e papërfillshme. Rritja duhet të jetë 8%, në mënyrë që ajo të ndihet në buxhetet familjare”, tha Guxholli.


Me këtë realitet të standardit të jetesës së të moshuarve për shkak të pensioneve të ulëta, shpëtimi i jetesës për pensionistët mbeten fëmijët./vizionplus.tv





