Kërkesa e Partisë Demokratike për të zhvilluar mbledhjen e Këshillit të Mandateve lidhur më çështjen e zëvëndëskryeministres Belinda Balluku, u refuzua për herë të katërt nga mazhoranca.
Në emër të anëtarësisë opozitare, Gazment Bardhi u shpreh se kërkesa e numrit dy të qeverisë për një afat tre javor për tu njohur me provat ka përfunduar dhe se tashmë nuk ka asnjë justifikim për të mos mbajtur mbledhjen.
“Afati prej tre javësh është një alibi për t’iu fshehur drejtësisë jo kohë e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen pasi mbrojtësit e Ballukut nuk kanë denjuar as të tërheqin materialet hetimore. Nuk i ka tërhequr edhe vetë e pandehura që kërkon kohë të përgatitej”, tha Bardhi.
Për Kryetarin e Parlamentit Niko Peleshi, Bardhi paralajmëroi dhe një kallëzim penal.
“Ne do të përgatisim edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit nuk mund të tallet me Kuvendin, ai nuk merr urdhra nga të korruptuar. Ai nuk është ushtar i Ballukut, edhe pse ajo e ka ndihmuar që ai të jetë kryetar i ri i kuvendit, sepse ka qenë zgjedhje e saj personale”, tha ai.
Në deklaratën për mediat, akuzat e opozitarit shkuan dhe kundrejt kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se kreu i qeverisë ka ushtruar presion ndaj drejtësisë së re.
“Rama në konferencë tha se provat e SPAK ishin thjesht arkiva ministrore. Nga e dinte ai se çfarë përmbante USB-ja. Aty ka mesazhe, mesazhe që tregojnë se vetë Kryeministri ka qenë i përfshirë”, tha Bardhi.
Anëtarësia demokrate do të kërkojë sërish mbledhje të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit të enjten, ndërsa më herët mazhoranca është shprehur se mbledhja do të zhvillohet pas shqyrtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese./vizionplus.tv





