Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalesën e radhës në bregdet e pati në Velipojë,

Gjatë takimeve me biznese vendase, Basha tha se është e qartë që situata për ta është e rëndë.  

Kjo vihet re, thotë kryedemokrati, në rënien e madhe të blerjeve nga qytetarët dhe numrin shumë të ulët të pushuesve.

Basha u ndal edhe tek prishjet e fundit të kioskave nga IKMT, aksion të cilin ai tha se ka prapavijë korruptive.

Dihet që Velipoja prej kohësh vuan nga thundra e krimit të organizuar, njerëz që vendosin se kush merr lejet e ndërtimit, kujt duhet t’i prishet prona që të lirohet toka, që t’i marrin ata prapë lejet e ndërtimit, emra të njohur tashmë jo thjesht për Policinë Shqiptare që rri duarkryq e nuk i prek dot se janë ortakë politikë të pushtetarëve, të partisë në pushtet në Shkodër dhe në Tiranë, por emra të njohur edhe për Europolin edhe për Interpolin. Mafja e ndërtimit me paratë e trafiqeve të paligjshme është një nga arsyet kryesore pse prishen këto objekte në këtë mënyrë, pse goditen njerëzit e pafajshëm e të mbrojtur në këtë mënyrë ndërkohë që të pushtetshmit ndërtojnë pa leje kat përmbi kat, pa i pyetur askush se çfarë parash kanë, me çfarë parash po ndërtojnë, paratë e çfarë trafiqesh po pastrojnë. Dhe siç e thashë më kriminalja e të gjithave është që zgjidhet kjo për t’i bërë mu në prag të fillimit të sezonit turistik për t’i deprivuar, për t’u hequr edhe bukën e gojës.

Kreu i opozitës u shpreh se çështja e turizmit, heqja e pengesave për të të do të jetë një nga temat kryesore në takimin e pritshëm me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti.

“Natyrisht, pengesat më të mëdha janë në këtë anë, po, në çdo rast, të bëjmë të mundur që qytetarët nga Kosova ta kenë sa më të lehtë për të ardhur në plazhet e Shqipërisë.”– tha zoti Basha.

Lideri i opozitës theksoi 2 të këqijat më të mëdha për turizmin tani sipas tij, përveç frikës nga koronavirusi.

“Ka viruse të tjera që duhen larguar. Për të udhëtuar nga Kosova në Shqipëri ka dy pengesa të mëdha, çmimi i naftës që është më i lartë se në Kosovë dhe taksa e Rrugës së Kombit. Këto janë dy çeshtjet që sot, ndoshta, nuk zgjidhen dot, po nesër, në qeverisjen tonë do të zgjidhen. 240 lekë taksa që është vendosur mbi karburantin gjatë këtyre 7 viteve do të hiqet dhe taksa e Rrugës së Kombit do të hiqet, siç e kam premtuar. Kjo, pa diskutim, që do ta ulë dhe koston për turistët nga Kosova, do të bëjë të mundur që më shumë qytetarë të Kosovës t’i drejtohen bukurive të plazheve të Velipojës, plazheve të Shëngjinit dhe plazheve të tjera të Shqipërisë, në Sarandë, Dhermi e kudo.”- tha zoti Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *