Një 31-vjeçar nga Kosova është arrestuar këtë të diel nga policia e Korçës, pasi akuzohet për veprën penale “Mashtrim”. Bëhet fjalë për Liridon Salihin, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Vlorës, Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.

Sipas njoftimit të policisë, 31-vjeçari kundërshtoi uniformat blu dhe tentoi të largohet me mjetin e tij tip “Benz”, por u ndalua në kohë.

Gjatë kontrollit të ushtruar, të arrestuarit iu gjet 1 kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar. Ndërsa në automjetin e tij, i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 thikë dhe 1 sëpatë.

Salihi kishte arriur të mashtronte disa qytetarë, duke iu marrë shuma të mëdha parash, që kapnin vlerën deri në 10 mijë euro.

“Shtetasi i mësipërm rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale “Mashtrimi” si më poshtë:

– Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.

– Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.

– Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.

– Po ndaj këtij shtetasi po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas, me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850.000 lekësh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *