Mazhoranca nuk do të japë autorizimin për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku duke ftuar deputetët e Kuvendit që të rrëzojnë kërkesën e SPAK. Ulsi Manja, i cili prezantoi raportin e antarëve të mazhorancës në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetin tha se nuk plotësohen kushtet ligjore për rëndimin e masës së sigurimit ndaj Ballukut.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Rama tha se çdo kërkesë për heqjen e lirisë së një deputeti duhet të mbështetet në prova të forta. Ai risolli në vëmendje mbështetjen që PS i ka dhënë Reformës së Drejtësi dhe theksoi se vetëm kjo shumicë qeverisëse është garant i pavarësisë së drejtësisë.
Rama: Herë tjetër, kur të vijnë në Kuvend për të kërkuar imunitetin..se dhe ky është një keqkuptim i madh. Nuk ka imunitet në Shqipëri për hetimin. Nuk ekziston imuniteti siç e kanë thuajse gjithë vendet e BE-së, ku nuk mundet dot të guxosh ta zësh me gojë emrin e një deputeti jo më të fillosh hetim, pa shkuar në parlament dhe të thuash ‘a më lejoni mua të merrem me këtë’. Në Shqipëri ne nuk e kemi, e kemi hequr në 2012. Ne kemi kufizimin ose jo të lirisë. Pra një person hetohet ose jo në gjendje të lirë ose çohet në burg me votën tonë. Dhe ne të ngremë dorën për të çuar një deputet në burg me këto argumenta?
Pse çfarë jemi ne. Kur të vijnë për të kërkuar heqjen e lirisë herën tjetër, prokurorët duhet të vijnë të armatosur me prova, siç erdhën në dy rastet e kaluara. Por t’i vish kuvendit me një incizim qesharak? Një grua me dy gra, për të legjitimuar kërkesën ekstreme arrest pa gjyq, duke na vënë në pozitë absurde ne shumicën socialiste që i kemi dhënë shpirtin betejës për reformën në drejtësi, por i kemi vënë dhe në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavaruar. Bëni ç’keni për të bërë…ku është parë kjo forcë politikë në historinë e Evropës.





