Situata e bujqësisë në juglindje të vendit është rënduar ndjeshëm pas valës së fundit të motit të keq.
Reshjet e dëborës të shoqëruara me temperatura ekstreme që zbritën deri në -7 gradë celsius kanë shkaktuar dëme të mëdha në pemtoret e zonës, veçanërisht në ato të qershive dhe kumbullave të humbura tashmë.
Por shqetësimi më i madh lidhet me kulturën më të përhapur në rajon, mollën, e cila është dëmtuar në një masë që kalon 70%.
“Temperaturat e ulëta që ishin javët e fundit kanë dëmtime të mëdha për drufrutoret. Ka patur dëme të konsiderueshme. Shpresonim që te molla do ishte pak më mirë, por shohim se mbi 80% e saj është e dëmtuar. Fermeri ka dëm të jashtëzakonshëm. Institucionet janë ende në gjumë, a po merren me fushatë dhe na kanë lënë. Askush nuk ka ardhur për masa paraprake”, tha fermeri Ferdinand Ali.
Një tjetër banor i fshatit, Paqësor Hulli pohon se të gjithë fermerët në zonë janë të dëmtuar rëndë dhe shumë prej tyre mund të falimentojnë këtë vit.
“Flas me bindje, mbi 50% e mollës është e garantuar që ka marrë dëm. Shpenzimet janë të mëdha, plehrat shkojnë nga 80 në 140 mijë lekë, ilaçet janë të shtrenjta. Në Dvoran frutikultura është e mbaruar. Kush do vijë? Mjerë ai që e zë halli. Shtet nuk ka njëherë”, shprehet ai.
Aktualisht në juglindje të vendit janë të mbjella rreth 4200 hektarë me pemtore, nga të cilat 3600 hektarë janë me mollë. Sipas vlerësimeve paraprake, rreth 1500 hektarë janë prekur nga dëmtimet, me përqindje që shkojnë deri në 60%.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të vlerësuar dëmet dhe për të garantuar mbështetje financiare./vizionplus.tv





