Pas 11 muajsh në arrest shtëpie, ish-kryeministri Sali Berisha u rikthye në Kuvend. Nga Foltorja e Kuvendit ai akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se tentoi që ta eliminonte opozitën duke burgosur Berishën pa asnjë provë në dhjetor të vitit të kaluar. Por sipas Berishës, Rama i kishte bërë llogaritë gabim. Kreu i PD tha se rikthehet në Parlament për të udhëhequr opozitën drejt fitores.
Berisha: Edi Rama mendoi se plotësoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën. Fjala ime tmerronte narko-diktatorin dhe shumë prej jush. Në dhjetor të ’46 Enver Hoxha vendosi të eliminojë opozitën e Shqipërisë. Edi Rama për të nderuar figurën e tij zgjodhi dhjetorin për të arrestuar Sali Berishën pa asnjë provë. Por i bëtë llogaritë gabim, sepse nuk ishte vitit ’46. Por sot ja ku jam. Vij këtu me mesazhin e fitores, vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores.
Duke u ndalur te buxheti i vitit 2025 i cili pritet të miratohet ditën e sotme nen për nen në Kuvend, Berisha tha se Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, por pesnionistët janë njerëzit më të përbuzur dhe më të përçmuar në rajon dhe në botë.
Berisha: Si mund të votohet këtu një buxhet 8.2 mlnd euro dhe të përcaktoi 16 mln euro për 800 mijë vetë. Kush mund ta bëjë këtë? E bëjnë vetëm ata që kanë tmerr nga njerëzit. Si mund të ndodhë kjo? A e dini ju që ata pensionistë që marrin 1/40 e rrogës tënde Shals paguajnë TVSH për ushqime njëlloj si ty? A e kupton apo jo? S’ke mëshirë ti. Ju jeni të dështuar. Ju caktoni sot buxhetin më të ulët për arsimin. Ju caktoni një buxhet mizerabël për kulturën. Fshitë nga harta e Tiranës teatrot dhe të gjitha institucionet kulturore. Si mund të votohet buxheti 8.2 miliard dhe të mos vendoset minimumi jetik 200 euro për shqiptarët?/vizionplus.tv




