Subscribe

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ishte sot në familjen e Bujar Çukes në Thumane, ku nënë e bir humbën jetën ne 26 nentor te vitit te kaluar.

Familja e Bujar Cukes ka jetuar në një nga pallatet e Thumanës që u shembën nga tërmeti i vitit të kaluar. Aktualisht Bujari dhe vajza e tij Megi, të vetmit e mbijetuar të tragjedisë jetojnë në një shtëpi në zonën e Don Boskos. Sot, 1 vit pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën nënës dhe vëllait, vajza e mbijetuar Megi ka vetëm një apel: Drejtësi për vëllain dhe mamanë që vdiqën në pallatet e Thumanës.

”Sot është bërë një vit nga tërmeti i 26 nëntorit dhe asnjë lloj mase nuk është marrë në lidhje me këtë tragjedi që na ndodhi. Vertet kjo është një tragjedi që na erdhi nga natyra, por nuk duhet thënë vetëm kaq, sepse një peshë të madhe ashtu siç po e citoj dhe po e theksoj, e pati edhe pergjegjësia duke filluar që nga qeveria, kryetari i bashkisë edhe e gjithë administrata e komunës së Thumanës. Kështu që vetëm kërkoj drejtësinë, asgjë më tepër për mamin dhe vëllain tim ashtu, si edhe për të gjithë 24 të humburit, personat e tjerë të cilët humbën jetën.”

Kryetari Basha ngushëlloi të gjithë familjet që humbën të dashurit e tyre më tërmetin e 26 nëntorit dhe premtoi se do të bëjë gjithçka që t’i jepet fund kësaj katastrofe dhe njerëzit e dëmtuar të marrin zgjidhje.

‘’Jam këtu për t’i dhënë forcë dhe për t’i shprehur ngushëllimet Bujarit dhe Megit për humbjen e të dashurit të tyre, nënës dhe të vëllait, bashkëshortes dhe të djalit. Sikundër për t’i shprehur të gjithë ngushëllimet e mia dhe për t’i dhënë forcë gjithë shqiptarëve, që humbën të dashurit e tyre në tërmetin e 26 Nëntorit, sot një vit më parë. Jam i vetëdijshëm sepse vazhdimisht kam qenë në zonat e goditura nga tërmeti për vuajtjet, dhimbjet, në radhë të parë të atyre që humbën të dashurit e tyre, por edhe të qindra mijëra familjeve të tjera që iu shkatërrua pasuria e një jete, shtëpitë, banesat e tyre, vuajtjet të cilat për fat të keq vazhdojnë edhe sot që flasim, ku shumica dërrmuese e familjeve vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira.”

Basha u ndal edhe në dy familje të tjera në Thumanë të cilët kanë humbur banesat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *