Takimet mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington e Bruksel përfunduan me marrëveshje, por jehona e takimit në Shtëpinë e Bardhë vazhdon ende pasi ka lënë pas disa pikëpyetje të mëdha, sidomos mbi njohjen reciproke.

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti këmbënguli se çdo dakordësi është një hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare, ndërsa sqaroi edhe hyrjen në minishengen.

 

Kryeministri Hoti shtoi se pika kryesore e pjesës politike të marrëveshjes ishte njohja nga shteti i Izraelit.

 

AVDULLAH HOTI

KRYEMINISTER I KOSOVES

“Kjo marrëveshje e forcon sovranitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.  Do të vazhdohet puna me Ministrinë e Jashtme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.”

 

Ndërkohë presidenti serb, Alexandër Vucic, mbi këtë cështje nuk është shprehur qartë nëse në të ardhmen do të ketë zhvendosje të ambasadës serbe në Jerusalem, ndërsa njohjen e Kosovës e ka mohuar sërish.

 

ALEXANDER VUCIC

PRESIDENT I SERBISE

“Ideja ishte që Serbia të thoshte se ishte në rregull për ne që Izraeli të njihte pavarësinë e Kosovës. Izraeli është shtet sovran dhe ka të drejtë të bëjë çfarë të dëshirojë. Mesazhi që ne kemi dërguar është i qartë. Ne nuk duhet të kemi një marrëdhënie armiqësore me shqiptarët, por është e rëndësishme që të ketë shumë të mira për sa i përket marrëveshjeve ekonomike, qarkullimit të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve. Pas një kohe të gjatë, Prishtina pranoi të merrte pjesë në atë që ne e quajmë “minishengen “, e cila është një gjë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për serbët, por edhe për boshnjakët.”

 

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve që në vitin 2011. Ai është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Europian ndërsa është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *