Hita viziton në spital policët e lënduar në protestë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, viziton punonjësit e Policisë të dëmtuar gjatë tubimit të zhvilluar ditën e sotme
Pas përfundimit të tubimit të dhunshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vizitoi në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë të dëmtuar si pasojë e sulmeve me gurë, sende të forta dhe bomba molotov nga pjesëmarrës të maskuar, të cilët për më shumë se 14 orë sulmuan punonjësit e Policisë dhe vunë në rrezik sigurinë e tyre.
Drejtori Hita u uroi punonjësve të dëmtuar shërim të shpejtë, i falënderoi për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përmbajtjen e treguar përballë sulmeve të pandërprera, si dhe i siguroi për mbështetjen e plotë të tij dhe të institucionit që drejton.
Drejtori Hita bisedoi edhe me stafin drejtues të spitalit dhe ekipin mjekësor, nga të cilët u informua se punonjësit e Policisë që kanë pësuar dëmtime më të rënda dhe do të vijojnë të qëndrojnë në spital, po marrin trajtimin e duhur mjekësor.
Gjatë tubimit të dhunshëm të ditës së sotme, u dëmtuan 51 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Shërbimet e Policisë, deri në këto momente, kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme 65 shtetas pjesëmarrës në tubim, të dyshuar për sulme ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.
Policia e Shtetit do të vijojë veprimet ligjore për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.




