Lindita Hoxha me profesion mësuese ishte e ftuara e ditës në emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus me Brikena Priftin.

Lindita nuk është si të gjitha mësueset e tjera. Ajo është me një dorë, dhe mes emocioneve rrëfen vështirësitë që ka kaluar për të gjetur punë pas studimeve dhe për tu pranuar nga shoqëria, si person me aftësi të kufizuara.

Mësuesja tha se ajo ka lindur me një dorë, por kjo nuk e ka penguar që të ndjekë studimet pas martesës dhe të ushtrojë detyrën e saj ashtu si duhet. Pengesat kanë qenë të shumta në fillimet e saj, pasi askush nuk i hapte derën për punë, ndërsa shton se zgjidhjen e ka gjetur nga ministri i atëhershëm i Arsimit Myqerem Tafaj.

Kam lindur me njërën dorë. Vazhdova shkollën e mesme në Lushnjë, më pas u martova. Më pas vazhdova shkollën e lartë dhe në momentin që e mbarova shkollën, këmbngula të hyja në punë. Ishte shumë e vështirë, sepse më thoshin që nuk kemi vende pune. Në atë kohë kemi takuar ministrin e Arsimit dhe më punësoi menjëherë.

Edhe bashkëshorti im me aftësi të kufizuara nuk gjente punë. Të gjithë habiteshin me ne, që me aftësi të kufizuara dhe të ishim me shkollë të lartë. 10 vite më janë dashur që të futem në punë. Në 2010 kam nisur punë, por ja dolëm mbanë. Ka njerëz të mirë që duan ta zbatojnë ligjin.

Ishte ëndrra ime. Mësuesia dhe mjekësia, ishin degët që nuk i ndaja dot. ’97 ishte shumë i vështirë dhe babai im ja la amanet vjehrrit tim që të ndiqja shkollën dhe mësuesia ishte ëndrra e babait tim”, tha Lindita Hoxha.

Mësuesja më tej shtoi se edhe bashkëshorti njësoj si ajo është me aftësi të kufizuar, ndërsa aktualisht edhe ai punon në spitalin e Lushnjes, me kontratë pune të plotë.

Bashkëshorti im punon në spitalin e Lushnjës, pavarësisht vështirësive të mëdha që kishim. Me nxënësit ka qenë shumë e lehtë, sepse fëmijëve po u fale dashuri të japin. E vështira ka qenë me kolegë, që e kanë pasur të vështirë ta pranonin që mes tyre ishte një mësuese me aftësi ndryshe.

Me kalimin e kohës këto gjëra u sheshuan dhe tani kam një marrëdhënie të mirë me prindërit dhe kolegët”, tha Lindita Hoxha./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *