Historia e pabesueshme e mbijetesës, ushtari ukrainas preu këmbën e tij për të shpëtuar jetën, si u shpëtua nga droni

Një histori e jashtëzakonshme mbijetese vjen nga lufta në Ukrainë. Kostyantyn Vlasenko, 49 vjeç, kaloi 491 ditë në një nga zonat më të rrezikshme të frontit, ku u detyrua të jetonte mes sulmeve ruse, minave dhe dronëve. I plagosur rëndë dhe pa mundësi evakuimi, ai arriti deri aty sa të amputonte vetë këmbën, në përpjekje për të mbijetuar. Pas muajsh të tërë izolimi, ushtari u shpëtua me ndihmën e një droni të modifikuar posaçërisht për evakuimin e tij.
Vlasenko, pjesëtar i Brigadës së 30-të të Mekanizuar të ushtrisë ukrainase, ishte vendosur në një pozicion përpara në rajonin e Harkivit më 2 qershor 2025. Së bashku me një bashkëluftëtar, ai u strehua në një kanal betoni të ngushtë, ku qëndronte i fshehur nga forcat ruse. Për shkak të pranisë së madhe të dronëve armikë, përpjekjet për t’i zëvendësuar ose për t’i nxjerrë nga zona dështuan. Situata u përkeqësua edhe më shumë kur streha e tyre u përmbyt dhe të dy u detyruan të zhvendoseshin në një shkollë të braktisur.
Gjatë sulmeve të mëvonshme, Vlasenko pësoi plagë të rënda në këmbë, të cilat u përkeqësuan nga ngricat dhe mungesa e trajtimit mjekësor. Bashkëluftëtari i tij humbi jetën pas një sulmi me dron rus, duke e lënë atë të vetëm në mes të rrënojave. I rrethuar nga rreziku dhe pa mundësi shpëtimi, ukrainasi u fsheh brenda një sobe të vjetër prej gize, e cila i shpëtoi jetën gjatë bombardimeve. Ndërkohë, ai vazhdonte të merrte ushqime, ujë dhe ilaçe me dronë, si dhe të informonte komandën për lëvizjet e forcave ruse.
Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua aq shumë, sa njëra këmbë iu dëmtua rëndë nga ngricat dhe qarkullimi i dobët i gjakut. Në pamundësi për të marrë ndihmë, ai mori vendimin ekstrem për ta amputuar vetë, duke përdorur një thikë. Pavarësisht dhimbjeve dhe izolimit, ajo që e mbante gjallë ishte shpresa për t’u kthyer te familja, veçanërisht te vajza e tij. Për muaj të tërë, komunikimi me bashkëluftëtarët përmes radios dhe furnizimet e dërguara nga ajri ishin lidhja e tij e vetme me botën e jashtme.
Shpëtimi erdhi pas një operacioni të veçantë, për të cilin ushtari mori udhëzime përmes një telefoni dhe materialeve të dërguara me dron. Një mjet fluturues pa pilot, i modifikuar për transportimin e njerëzve, e ngriti atë në ajër dhe e transportoi rreth 18 kilometra drejt një zone më të sigurt. Sipas raportimeve të mediave britanike, operacioni është cilësuar nga njësitë ukrainase si një rast i paprecedentë i evakuimit të një ushtari të plagosur drejtpërdrejt nga pozicioni i luftimit me një dron.
Tashmë 49-vjeçari po merr trajtim në spital, pas më shumë se një viti mes rrezikut, urisë dhe dhimbjeve. Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në mbijetesën dhe shpëtimin e tij, duke e cilësuar gjithçka si një mrekulli. Megjithatë, pavarësisht historisë së tij të jashtëzakonshme, Vlasenko nuk dëshiron të konsiderohet hero. Me humor, ai tha se nuk i pëlqen të jetë i pari, por preferon të jetë i dyti.
/vizionplus.tv




