Subscribe

Agron Sula është një ish-kredimarrës, historia e të cilit është një shembull që tregon se si ka funksionuar ndër vite skema e mashtrimit me mikrokreditë dhe mbledhjen e borxheve. Historia e tij datën që në vitin 2006 kur mori 1 milion lekë, por  në fund të një procesi të gjatë dhe të lodhshëm me institucionet ai pagoi 2.3 milion lekë. I ftuar në emisioni E-ZONE në Vizion Plus Sula tregon se kalvarin e mundimshëm të një kredie konsumatore, e cila u kthye në makthin e jetës së tij.

“Mora në një bankat e nivelit të dytë një kredi 1 milion lekë. Për shkak të vështirësive financiare, për disa kohë dola i papunë dhe nuk e pagova kredinë. Kjo kredi u shit nga banka e nivelit të dytë në një institucion financiarë jo bankë. Unë nuk isha në dijeni. Detyrimi ishte shoqëruar me penalitete dhe kamatvonesa. Ndërsa të gjithë bankat kishin urdhër për të bllokuar llogaritë në rast punësimi. Për një vit me radhë me kanë sekuestruar pagën e plotë, në shkelje të ligjeve, duke mos më lënë as një minimin për të jetuar”, shprehet Sula.

Sula vijon më tej kur thotë se kompania që bleu kredinë e tij, që klasifikohet si kredi e keqe, nëpërmjet përmbaruesve ka ushtruar presion deri në  përndjekje duke i kolapsuar jetën.

“Sot gjërat kanë ndryshuar pak, por në vitet kur unë isha pjesë e kësaj vorbulle 2007-2015, qasja e kompanisë borxhmbledhëse ishte arrogante, në shkelje të ligjeve dhe aspak bashkëpunuese. Situata arriti deri aty sa kërkonin të sekuestronin edhe pajisjet e shtëpisë. Por kam luftuar i vetëm me të gjitha insitucionet shtetërore deri sa nëpërmjet një shoqate që ofron konsulencë ligjore arrita të ngre një padi ndaj kompanisë dhe gjetëm një marrëveshje. Por në çdo rast mora 1 milion lekë dhe pagova 2.3 milion në total, ndërsa shmanga nëpërmjet gjykatës dhe disa milionë lekë të tjera kamatvonesa”, sqaroi Sula në E-ZONE

Rrethi vicioz në të cilin hyri ish- kredimarrësi Sula është dëshmi që kompanitë borxhmbledhëse kanë abuzuar në shumë raste deri në ekstrem ndaj qytetarëve, të cilët i bënin presion të merrnin kredi të re, me interesa të larta për të paguar kredinë e vjetër./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *