Historia e fotos kur tifozi hyri në fushë dhe sabotoi VAR-in

Kjo fotografi tregon skenën e pazakontë në futbollin gjerman, gjatë përballjes mes Preußen Münster dhe Hertha Berlin, në Bundesligën 2.
Në një moment vendimtar të ndeshjes, një tifoz i maskuar hyri në fushë dhe shkëputi kabllon e monitorit VAR, duke e lënë ekranin të fikur në momentin kur arbitri po përpiqej të rishikonte një episod të dyshimtë në zonë.
Arbitri Felix Bickel iu drejtua monitorit për të parë nga afër ndërhyrjen ndaj futbollistit të Herthës, Michael Cuisance, por ekrani nuk funksiononte. Sipas raportimeve, veprimi i tifozit ishte pjesë e një proteste të organizuar kundër sistemit VAR. Në tribunën e tifozëve vendas ishte shfaqur edhe një banderolë me mesazhin: “Hiqjani prizën VAR-it”.
Megjithatë, ndërhyrja nuk e pengoi marrjen e vendimit. Gjyqtarja e VAR-it, Katrin Rafalski, e cila ndodhej në dhomën e videoarbitrimit në Këln, e shqyrtoi episodin dhe i komunikoi arbitrit se kishte faull brenda zonës. Bickel akordoi penallti për Hertha Berlin, ndërsa Fabian Reese e ktheu atë në gol në minutën 45+4.
Por ndeshja nuk përfundoi me këtë episod. Preußen Münster barazoi menjëherë pas pushimit, me Jannis Heuer në minutën e 46-të, ndërsa Hertha siguroi fitoren 2-1 falë golit të Marten Winkler në minutën e 90+3.




