Shpresa për të zbardhur atentatin e rëndë në zonën e “Don Bosco-s”, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, për grupin hetimor mbetet përgjigja që pritet nga Kosova, vend nga ku ka ardhur mjeti tip Golf që u përdor në ngjarje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ky automjet është futur në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës në Kukës. Autoritetet shqiptare i janë drejtuar homologëve kosovarë me një letërporosi, ku i kërkojnë informacion të detajuar për përdoruesit e tij, për të rënë më pas në gjurmët e atentatorëve.
Lexo edhe :
Related Posts
Ka dyshime të forta që mjeti të ketë ardhur në Shqipëri dhe më pas është blerë nga autorët për ta përdorur në atentat, por nuk përjashtohet mundësia që edhe 3 personat e përfshirë në këtë ngjarje të jenë larguar gjithashtu në Kosovë.
Një tjetër pikë e fortë për policisë mbeten kamerat e sigurisë në pikën kufitare, të cilat do të këqyren për të identifikuar personin që ka futur makinën në Shqipëri.
Targat që u përdorën në makinën tip Golf, mjet i cili pas atentatit u dogj në Qerekë të Tiranës, i përkasin një makine në Valias, të cilat dyshohet se janë marrë brenda një garazhi. Për targat nuk ka patur denoncim që janë vjedhur.
Policia gjeti 7 gëzhoja në lokalin ku po qëndronin dy të plagosurit. Kastriot Elezaj dyshohet se ishte personi që ishte në shënjestër të atentatorëve, kjo për faktin se ai ka qenë i dënuar më përpara në Itali për prostitucion, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ndonjë konflikt i kohëve të fundit me persona të tjerë të kenë përfunduar deri në atentatin mafioz./vizionplus.tv






