Subscribe

25 persona u shoqëruan nga Policia e Elbasanit për përplasjen me armë zjarri një ditë më parë ku u ekzekutua 56-vjeçari Pjerin Xhuvani, ndërsa u plagosën katër të tjerë, mes të cilëve një efektive policie.

 

Mes të shoqëruarve ka pasur militantë nga radhët e Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, si dhe dëshmitarë okularë të cilët u ndodhën në vendngjarje. Ata u pyetën nga hetuesit lidhur me ngjarjen e më pas u lanë të lirë.

 

Ndërkohë është shpallur në kërkim nga policia, Klemend Xhaferri, i njohur  ndryshe dhe me emrin Kel Çami si dhe disa persona të tjerë. Klemend Xhaferri është një emër i njohur për policinë pasi është hetuar më parë për ngjarjen e vitit 2017 në tregun agro-ushqimor në Elbasan.

 

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë por dhe dëshmive të dhëna dyshohet se Klemend Xhaferri është përfshirë në shkëmbimin e zjarrit me ish-efektivin e forcave speciale të RENEA-s Arbër Paplekën, nga ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa u plagosën Eltjon Bodinaku 32-vjeç, Emiljan Prenga 39-vjeç, Pavlo Vuksani 50-vjeç,  si dhe efektivja e policisë, Xhensila Sota 27-vjeç.

 

Gjatë momentit që ndodhi përplasja me armë, mbështetës të Partisë Demokratike mes të cilëve Arbër Papleka kishin ndaluar një automjet pa targa në lagjen “5 Maji” pasi kishin dyshime se në të kishte para dhe karta identiteti që do përdoreshin nga partia socialiste për blerjen e votave.

 

Ata kishin njoftuar policinë, por ndonëse uniformat blu ndodheshin në vendngjarje, situata degradoi dhe dy grupet e militantëve u përfshinë në shkëmbim zjarri duke përgjakur qytetin e Elbasanit.

 

Nga dëshmia e dhënë para hetuesve mësohet se Arbër Papleka, ka thënë se qëlloi për vetëmbrojtje. Pas ngjarjes së paprecedentë të dyja kampet politike kanë hedhur akuza në drejtim të njëra-tjetrës ndërsa kanë ashpërsuar tonet mes tyre.

 

Ndërkohë për të ditën dytë me radhë gjithë kupola e Policisë së Shtetit ndodhet në Elbasan me qëllim zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *