Hetimet për Trump/ Telefonata me Zelenskin godet rëndë Presidentin e SHBA

Debati për shkarkimin e presidentit i ka dhënë një goditje të fortë administratës Trump dhe ka vënë në lëvizje agjencinë e inteligjencës si dhe kongresin për të hetuar nëse shefi i shtëpisë së bardhë ka abuzuar me pushtetin e tij. Më 25 korrik Donald Trump ka telefonuar homologun ukrainas Volodimir Zelenski. Biseda e zhvilluar mes tyre është lexuar si një lëvizje presioni nga agjencia e zbulimit pasi Trump i ka kërkuar presidentit ukrainas të hetojë kandidatin kryesor të demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, Joe Biden dhe djalin e tij.
Përmbledhja e telefonatës së zbardhur është bërë publike vetëm një ditë pasi kryetarja demokrate e dhomës së përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi fillimin zyrtar të hetimeve nëse Presidenti Trump pati kërkuar ndihmën e një qeverie të huaj për të njollosur një kundërshtar politik dhe për ta ndihmuar në rizgjedhjen e tij vitin e ardhshëm.
Demokratët thonë se te dhënat konfirmojnë shqetësimet se Presidenti po e përdorte politikën e jashtme amerikane për të përfituar vetë politikisht. Megjithatë Trump i hodhi poshtë akuzat.
“Nga mënyra se si e trajtuan çështjen, të dukej sikur ishte një telefonatë nga ferri. Por doli se nuk ishte asgjë. E gjitha kjo është një gjueti shtrigash dhe një komedi e demokratëve.”
Kushtetuta amerikane e lejon kongresin të largojë nga detyra presidentët para se mandati i tyre të përfundojë, nëse shumica e ligjvënësve votojnë kunder tij pasi kane arritur ne përfundimin se ai ka kryer “tradhti, ka marrë ryshfet, ose ka bere shkelje te rende te kushtetutës.
Deri më tani vetëm dy presidentë kanë kaluar në këtë procedure, Andrew Johnson më 1868 dhe Bill Clinton më 1998, dhe të dy u liruan nga dyshimet dhe përfundimisht dhe përfunduan mandatin e tyre. Ish-presidenti, Richard Nixon, dha dorëheqjen më 1974, për t’iu shmangur procedurës së shkarkimit.




