Hetimet për dosjen “AKSHI”/ SPAK masë sigurie ndaj kreut të SHISH, kontrolle ish-kryepolicit Proda

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndërmarrë këtë të martë, 22 shtator, një aksion në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ndërsa sipas vendimit të GJKKO-së është autorizuar kontrolli i banesës dhe kontrolli personal i tij. Kontrollet po zhvillohen edhe në banesa të tjera dhe ndaj personave të tjerë.
Në kuadër të të njëjtit aksion, SPAK ka lëshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Masa ndaj saj nuk është ekzekutuar ende, pasi Hyseni ndodhet jashtë shtetit.
Vizion Plus mëson se aksioni lidhet me një fraksion të dosjes “AKSHI”, e cila më herët ka çuar në pranga disa persona, mes tyre ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ky i fundit i arrestuar në Francë.
Prokurorë të çështjes janë Altin Dumani dhe Bledar Maksuti.
Për Ilir Prodën, kontrolli vjen disa muaj pas shkarkimit të tij nga posti i kreut të Policisë së Shtetit. Proda u shkarkua në mars të këtij viti, me motivin se nuk garantoi rendin dhe sigurinë gjatë protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike më 28 shkurt 2026. Gjatë protestës pati edhe një sulm me molotov ndaj vilës së Enver Hoxhës, ku ndodheshin disa artistë të huaj.
Ndërkohë, Vlora Hyseni mori zyrtarisht detyrën si drejtuese e SHISH në prill të vitit 2023, duke u bërë gruaja e parë në krye të shërbimit inteligjent shqiptar.
Përpara këtij emërimi, ajo kishte një karrierë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë, ku kishte mbajtur edhe postin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Pas largimit nga postet në Kosovë, Hyseni shërbeu për rreth dy vite si këshilltare për sigurinë kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.




