Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar për hetim të thelluar 16 kandidatët për deputet të disa forcave politike pas dorëzimit të formularit të dekriminalizimit.
“Dërgimi pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm jo domosdoshmërisht presupozon se ndonjëri prej tyre është pjesë e procedurës së ndalimit, por deklarimet që ata kanë bërë na detyron të dërgojmë kërkesën për hetim të thelluar”, tha Ilirjan Celibashi, kryekomisioner.
Pjesë e listës së emrave të dërguar prokurorisë për hetim janë kryesisht nga forcat e vogla politike, konkretisht 4 kandidatë nga Aleanca Shqipëria bëhet e Adriatik Lapajt, dy kandidatë nga Aleanca Demokracia e Re e Edmond Stojkut, 1 kandidat nga Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës, 1 kandidat nga Aleanca Kombëtare Shqiptare, 1 nga Aleanca Djathtas për zhvillim e Enkelejd Alibeajt, 1 nga Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, 2 kandidatë nga Partia Mundësia si dhe 4 të tjerë nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi dhe numrin e fletëve të prodhimit për secilin qark në raport me votuesit nga jashtë, duke specifikuar se bëhet fjalë për afro 245 808 votues, ndërsa fletë votimi do të prodhohen 250 mijë e 724, duke shtuar 2% që parashikon kodi.
“Në lidhje me vendnumërimi e votës së diasporës është marrë në konsiderat ambienti të Parku Olimpik i Tiranës, krahas numërimit do të kryhen 3 procese, përgatitja e procesit zgjedhor, ruajtja e votave deri në kohën e numërimit si dhe numërimi i votave finale”, thuhej në njoftimin e KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundësojë shpërndarjen e fletëve të votimit në diasporë brenda javës së parë të muajit Prill.
/vizionplus.tv





