Milani ka zhgënjyer mbrëmjen e sotme në “San Siro”, pasi është eliminuar nga Champions League nga Fejnord, të cilët barazuan 1-1 në Milano, dhe kaluan për në fazën tjetër falë fitores 1-0 në Holandë.
Milani i cili e nisi furishëm, duke shënuar që në minutën e parë me anë të Gimenez, u duk sikur kualifikimi do të ishte vetëm çështje minutash, por që në fund rezultoi një tragjedi.
Pjesa e parë u dominua totalisht nga kuqezinjtë, por nuk mundën të dyfishonin rezultatin.
Ndërkohë në pjesën e dytë Teo Hernandez “tradhton” kuqezinjtë, pasi në minutën e 51 merr kartonin e dytë të verdhë për simulim, çka do të thotë karton i kuq dhe Milani mbetet me 10 lojtarë.
Dhe këtu fillot tatëpjeta për Milanin, të cilët pavarësisht kthimit pas në mbrojtje, i lejojnë holandezëve që në minutën e 73-të të shënojnë golin e barazimit me anë të Carrangaz, i cili arriti të fusë kokën edhe pse ndodhej mes dy mbrojtësve kuqezinj.
Një humbje e patolerueshme për kuqezinjtë, të cilët tani do të duhet të luftojnë fort në kampionat nëse do të duan të marrin sërish pjesë sezonin e ardhshëm në kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik për klube.