Subscribe

Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinaj, duke i dënuar me katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall ju fajtor për: pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, pengim të personave zyrtarë përmes pjesëmarrjes në grupe, frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të informacionit të fshehtë dhe shkelje nëpërmjet zbulimit të identitetit dhe informacioneve për dëshmitarët e mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykatësi Charles Smith III, gjatë paraqitjes së përmbledhjes së trupit gjykues për rastin tha se ky rast tregon më së miri arsyen se pse është krijuar Gjykata Speciale.

Ai tha se mbrojtja e dëshmitarëve është e rëndësishme, pasi pa ta, “nuk mund të ketë drejtësi për viktimat, apo për shoqërinë në përgjithësi. Veprimet e të akuzuarve i rrezikuan në themel këto”.

Gjykatesi tha se trupi gjykues është bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të zbulimit të informacionit të mbrojtur dhe kanë pasur synim të drejtpërdrejt zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të Dhomave të Specializuara.

“Megjithatë, trupi gjykues nuk është bindur se pamundësuan apo penguan shumë hetimet e ZPS-së”, tha gjykatësi.

Me zbulimin e emrave të dëshmitarëve, por edhe me deklaratat e tyre, tha gjykatësi, Gucati dhe Haradinaj, kanë shkaktuar kërcënim të rëndë me synim që të frikësonin dëshmitarëve.

Ndërkaq, sa i përket akuzës se me veprimet e tyre, të akuzuarit kanë dashur të hakmerren, gjykatësi tha se ZPS-ja ka dështuar që të vërtetojë se është kryer kjo vepër penale.

Me veprimet e tyre, tha gjykatësi, Gucati dhe Haradinaj kanë tentuar të pengojnë zyrtarët e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të kryenin detyrat e tyre zyrtare. Gjykatësi tha se ata vepruan në grup për të penguar punën e Gjykatës Speciale.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *