Subscribe

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është marrë në pyetje nga Komisioni Hetimor Parlamentar për ekstradimin e 6 shtetasve turq në fund të muajit mars të këtij viti.

 

Haradinaj tha para komisionit se nuk ka qenë në dijeni të ekstradimit, dhe se për këtë është njoftuar nga një diplomat i huaj rreth orës 12 të datës 29 mars. Por shtetasit turq, të akuzuar si gylenistë, kishin lënë Aeroportin e Prishtinës para orës 11:00.

 

RAMUSH HARADINAJ
KRYEMINISTER I KOSOVES

“Jo vetëm 29 marsi, por edhe ora është në dokument. Ata janë larguar nga Kosova në ora 10:50, ndërsa unë e kam marrë vesh rreth orës 12:00. Me datën 29 është shkresa që në përputhje me përgjegjësit ligjore unë kam paraqitur pyetjet drejtuar atyre, në ketë rast, përgjegjësit të parë ndaj meje, që më obliguan mua për informatë, z. Sefaj dhe z.Gashi”

 

 

Megjithatë Haradinaj pranoi se procedura e dëbimit të shtetasve turq, ishte një proces i nxituar.

 

 

“Procedura ka qenë e nxituar. Unë kam shprehur vërejtjen në nxitim se pse ka qenë për ngut ai operacion dhe pse nuk është dhënë informata në instanca më të larta. Se a është shkel ligji e vendos gjykata. Ka qenë veprim i befasueshëm dhe nuk kam marrë informatë”

 

Disa orë pas esktradimit të shtetasve turq drejt Turqisë dhe në mesin e reagimeve ndërkombëtare, Haradinaj njoftoi shkarkimin e drejtorit të Agjensisë së Inteligjencës Driton Gashi dhe ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, pavarësisht se për shkakrkimin e tyre nuk kishte një vendim gjyqësor:

 

“Ka qenë obligim i tyre që me më raportuar për aksionin. Vendimi për shkarkim të këtyre dyve, është i diskrecionit që ja ka dhënë. Duke qenë se është diskrecion politik, atëherë unë e kam shfrytëzuar të drejtën time për shkarkim. Deri në momentin konkret nuk kam pasur vërejtje në asnjërin, mirëpo kjo ka qenë ajo thyerja që ka ndodhur, do të thotë nuk kam qenë i njohur për atë ngjarje”

 

Më tej kryeministri Ramush Haradinaj, shprehu bindjen se edhe presidenti Hashim Thaçi mund të mos ketë pasur informacion për ekstradimin.

 

Ndërkohë kreu i shtetit pritet të dëshmojë për këtë cështje pas kthimit në Kosovë.

 

Shtetasit e ekstraduar nga Kosova dyshohet se janë pjestarë të organizatës së klerikut Fet’hullah Gylen, I cili akuzohet nga presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan si organizator i grushtit të shtetit në korrik të vitit 2016 në Turqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *