Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj mund të jetë kandidat për president të Kosovës.

Kështu është thënë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se ekzistojnë thirrje brenda këtij organi të partisë që Haradinaj të jetë kandidat për president.

“Mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmin të aktakuzës për presidentin Thaçi e që ne gjithë njëzëri kemi shpresuar që nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prap se prap për 4 ose 5 muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin e ri”, ka thënë Gjini.

Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar Haradinaj.

AAK-ja është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.
Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.
Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *