Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, tha se është arritur një marrëveshje për financimin afatshkurtër të agjencive qeveritare, gjë që shënon rihapjen e qeverisë.

 

Ai tha se financimi i përkohshëm për zgjidhjen e problemit, do të sigurojë menjëherë pagesat për punonjësit federalë të cilët nuk janë paguar për 35 ditë me radhë, por sërish këmbënguli se ngritja e mureve ose barrierave fizike në kufi është e rëndësishme për sigurinë.

 

 “Trafikantët e qenieve njerëzore bëjnë viktima gratë dhe fëmijët. Ata i lidhin gratë në pjesën e prapme të kamionëve. Ata nuk kalojnë nëpër pikat kufitare. Kur agjentët e kufirit gjejnë kamionë, ata gjejnë vajza me duart dhe gojët të lidhura. Ky nuk është një problem i Shteteve të Bashkuara, ky është një problem botëror.”

 

Trump deklaroi se për sigurinë e SHBA-ve duhet të punojnë të dyja palët. Sipas tij, siguria e vendit, është përpara partisë.

 

Mungesa e arritjes së një marrëveshjeje mes republikanëve e demokratëve, çoi në mbylljen më të gjatë të qeverisë amerikane duke lënë rreth 800 mijë punonjës federalë të humbasin pagën e tyre të dytë. Presidenti Amerikan kërkoi financimin e murit në kufi me Meksikën, por demokratët nuk ranë dakord për shkak se sipas tyre, qeveria duhet të përqendrohet në probleme më të mëdha se sa ndërtimi i një muri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *