Hapet nënkalimi i autostradës Tiranë-Elbasan, lirohet një portat hyrëse e dalëse me të rëndësishme të kryeqytetit
Nga kjo e shtunë kushdo që udhëton për dhe nga juglindja e vendit nuk do të bllokohet nga trafiku në Sauk.
Punimet në nënkalimin e Tegut kanë përfunduar dhe ky segment është i hapur për qarkullimin e mjeteve.
Çdo makinë që vjen nga juglindja dhe anasjelltas do të lëvizë pa ndërprerje në autostradën Tiranë-Elbasan.
“Sot mbi 85% e punimeve janë të përfunduara. Nuk jemi më në kushtet e hapjes provizore. Policia e Shtetit ka marr në dorëzim mbikëqyrjen e aksit dhe mbeten punë të vogla që kanë të bëjnë me gjelbërimin, ndriçimin, me rrugët lidhëse paralele me veprën, që do të përfundojnë sipas kontratës. Kjo është një nyje shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh dhe funksionet që ka. Lidhjen me unazën Lindore, kalimin e të gjithë automjeteve pa bërë më rreth rrotullimin në drejtim të Elbasanit dhe të gjithë automjetet që vijnë nga Elbasani për në Tiranë nuk do të bllokohen më. Sigurisht i shërben dhe pjesës së kësaj qendre, që është krijuar një pol ekonomik tashmë dhe ndërtesave të tjera që shërbejnë për zyra. Kështu që këtu kemi një frymëmarrje të re të trafikut. Koha do të shkurtohet për të aksesuar të gjitha degët e tjera të unazës së madhe, e cila ka një kompleksitet të shtuar për shkak dhe të shpronësimeve dhe paketës së kompensimit që po aplikojmë në këtë zonë”, – u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.
Kjo nyje është e rëndësishme jo vetëm se është një nga portat hyrëse në kryeqytet. Por ajo lidhet edhe më unzën e madhe të Tiranës, punimet për të cilën po vijojnë në 5 lote.
Sipas kryeministrit Edi Rama është gjetur formula më e mirë për të akomoduar çdo familje që i shembet banesa.
“Çështja është që askush nuk mund ta marrë peng projektin. Formula është shumë pozitive dhe u bënë disa kohë që kemi hyrë në këtë formulë pozitive sepse duam të stimulojmë edhe strehimin social, duam të stimulojmë gjithë qasjen tonë solidare me gjithë grupet shoqërore dhe absolutisht dikush që është në mes të rrugës, siç ishin dhe ata tek 5 Maji dhe që merr një ofertë bujare, solidare, sociale që pavarësisht se është komplet pa leje, pavarësisht se nuk ka as tokën aty e asgjë, të trajtohet me qera e me një kontratë të qartë që do trajtohet pastaj me strehim social në momentin që do kemi në dispozicion apartamente, sepse futet në një listë ku ka prioritet, të thotë “jo nuk dua”, kjo nuk funksionon. Siç nuk ka funksionuar as tek Bulevardi i Ri, as tek 5 Maji, nuk ka për të funksionuar as aty. Po t’i pyesësh sot pjesën dërmuese të atyre që pengojnë këto zhvillime, e kuptojnë që kanë humbur kohë dhe kanë stresuar veten e familjen kot, sepse janë realisht të sistemuar siç u është dhënë jo fjala por marrëveshja në dorë. Nuk mund ta mbajmë ne peng gjithë këtë qytet për njerëz që kujtojnë se me gjuhën e forcës dhe duke qenë komplet në paligjshmëri e të stimuluar politikisht, mund të bëhen pengesë, faktikisht bëhen thjesht pengje që përdoren për sherrin e radhës”.
Punimet përfundimtare që kanë të bëjnë me ndriçimin dhe gjelbërimin në këtë nyjë infrastrukturore përfundojnë në nëntor të këtij viti.





