Subscribe

Xhamia më e madhe në Ballkan ajo e Namazgjasë, në qendër të Tiranës hapi dyert për të pritur besimtarët.

Ky është momenti kur presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan së bashku me kryeministrin Edi Rama prenë shiritin e inaugurimt.

Dy liderët mbajtën fjalën e tyre në hapje të xhamisë së Namazgjasë para dhjetëra besimtarëve.

Teksa prezantoi imamin e xhamisë, myftiun e Tiranës Bilal Teqjan, Rama e cilësoi këtë xhami si një godinë që do të mbajë peshën e një vendi të shenjtë e mbi të gjitha të bashkëjetesës fetare.

“Ka qenë për mua qysh në krye të herës çështje nderi dhe peshë e detyrës që xhamia e madhe të hynte e pastër në vendin tonë të besimeve të ndryshme si një objekt i gjatë munguar kulti në këtë vend ku tempujt mishërojnë dhe dëshmojnë lirinë dhe harmoninë fetare ndërsa njerëzit bashkëjetojnë siç e patën thënë për koincidencë atë vit Papa Francesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, “jo në harmoni, por në vëllazëri fetare”. Dhe kjo xhami i jep domethënien e plotë dhe kuptimplotë katrorit të 4 faltoreve të kryeqytetit duke e përmbyllur skicën e këtij flamuri shpirtëror të më në fund shpalosur të identitetit tonë të mbështjellë brenda tij”, tha Rama.

Rama e mbylli fjalën e tij duke përmendur dy figurat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Ndërsa presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u ndal në solidaritetin mes Shqipërisë e Turqisë, në xhaminë më të re të hapur në kryeqytetin shqiptar.

“Personalisht jam shumë me fat sot që ndodhem në këtë ambient të shenjtë dhe për këtë arsye i lutem Allahut që xhamia e Namazgjasë, e për të cilën themelet e saj i hodhëm në 2015, të sjellë dobi për gjithë shqiptarët, për myslimanët mbarë në Ballkan. Xhamia e Namazgjasë,më e madhja në Ballkan tashmë do të zërë vendin e saj në kujtimet tona të cilat i kanë rrënjët shumë të thella duke tejkaluar dhe 6 shekuj”, tha Erdogan.

Xhamia e Namazgjasë do të presë afro 10 mijë besimtarë. Ajo ka një arkitektureë të veçantë me katër minare me gjatësi 50 metër dhe një kupolë qendrore  e lartë 30 metra. Sipërfaqja e xhamisë është rreth 10,000 m2 . Xhamia u ndërtua nën mbikqyerjen e Komuniteti Mysliman të Shqipërisë dhe mbështetjen financiare te Turqisë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *