Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari kërkoi që mbledhja e kësaj të shtune për reformën zgjedhore të mos mbyllet pa arritur një dakordësi mes palëve.

Përmes një reagimi në “Facebook”, Hajdari u shpreh se aktorët duhet të punojnë pa u ndalur derisa të miratojnë reformën zgjedhore.

“Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje: Sistemin Zgjedhor; Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve; Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore; Kolegjin Zgjedhor. Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Sipas saj, këtë reformë shqiptarët kanë vite që e presin.  

“Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura. Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar. Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat.”

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore do të mblidhet këtë të shtunë në orën 17.00. Deri tani reforma mbahet peng nga identifikimi biometrik dhe votimi elektronik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *