Goditja e SPAK ndaj “Bujqësorit”, Rama: Nesër grupi i PS do dëgjojë rektorin e Universitetit
Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar pas operacionit të zhvilluar nga Policia me urdhër të SPAK në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Rama thotë në platformën “X”, se ditën e nesërme në orën 09:00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me masat e sigurisë të firmosura sot. Masa të cilat Rama thotë se janë lëshuar “pa gjyq”.
Edi Rama: Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion firmosi 24 masa sigurie për stafin Universitetit Bujqësor me urdhër të SPAK. Këto masa janë firmosur pas një hetimi disa mujor nga SPAK në lidhje me dyshimet për korrupsion.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se 5 masa janë ‘arrest me burg’, 10 të tjera ‘arrest shtëpie’ dhe 9 ‘detyrim paraqitjeje’.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare për operacionin e SPAK, ndërsa burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për abuzim me tendera. Ndaj personave që janë lëshuar masat e sigurisë rëndon akuza e shpërdorim të detyrës dhe korrupsionit./vizionplus.tv




