Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me pjesëtarë shtetas nga Shqipëria dhe Kosova që falsifikonte dokumente, me qëllim shitjen.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni kundër Krimeve Ekonomike të DVP Tiranë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, me Njësinë e Përbashkët të Investigimit me ShBA-në dhe me Prokurorinë e Tiranës.
Në kuadër të operacionit “Njësia” u arrestuan shtetasit Kushtrim Doksani, 35 vjeç, banues në Tiranë, Kujtim Gilani, 57 vjeç, banues në Prizren dhe Getoar Luzha 28 vjeç, banues në Kaçanik. Si dhe u ndaluan shtetasit Kujtim Duka, 56 vjeç, Leonard Basha, 58 vjeç dhe Erina Doksani, 20 vjeçe, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimi ka rezultuar se këta shtetas, të organizuar si grup, falsifikonin dokumente të ndryshme, me qëllim shitjen shtetasve që synonin të lëviznin ilegalisht, drejt shteteve që kërkojnë viza.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
-3 pasaporta dhe 3 karta identiteti amerikane;
-2 pasaporta, 2 karta identiteti dhe 1 leje drejtimi italiane,
-1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi angleze;
-1 leje drejtimi rumune;
-1 kartë identiteti shqiptare.
Së bashku me dokumentet e dyshuara të falsifikuara u sekuestruan 7 celularë dhe 1 motomjet.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”./vizionplus.tv