Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal që shfrytëzonte për prostitucion vajza dhe gra të cilat i sillte nga kina.
Uniformat blu kanë vënë në pranga një shtetas kinez dhe kanë shpallur në kërkim dy organizatorët. Të tre ata rekrutonin shtetaset kineze në bashkëpunim me disa të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar dhe i dërgonin për kryerjen e prostitucionit në Shqipëri.
Pjesëtarët e grupit siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e këtij aktiviteti. Po ashtu janë proceduar penalisht 7 shtetase nga Kina që ushtronin prostitucionin. Grupi kriminal përfaqësohej në Shqipëri nga një prej organizatorëve, i cili bënte menaxhimin.
Shumat e parave të përfituara nga ky aktivitet, ai i dërgonte te një shtetase kineze, e cila jeton në Bahrein dhe bënte ndarjen e parave të fituara. 25% e fitimit ajo i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagë, në bankë.
Policia sekuestroi shuma parash, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime për vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera.
/vizionplus.tv





