Subscribe

Një organizatë kriminale në Spanjë e drejtuar nga shqiptarët është shkatërruar nga një operacion i përbashkët i policisë spanjolle dhe Europol.

 

27 persona janë arrestuar si pjesë e kësaj organizate. Ata akuzohen për trafik droge dhe pastrim parash. Operacioni u zhvillua në disa qytete të Spanjës, si Barcelonë, Madrid, Malaga, Valencia etj.

 

Mediat e huaja raportojnë se mbi 65 milionë Euro kishte qarkulluar vitin e kaluar kjo organizatë droge, që sipas hetuesve, bashkëpunonte edhe me grupe të tjera kriminale, kryesisht shqiptare, dhe u ofronte mbështetje financiare për të pastruar paratë e drogës. Sipas Europol, organizata financonte trafikantët e kanabisit.

 

Mbi 615 mijë Euro cash janë sekuestruar nga policia gjatë operacionit, orë dhe bizhuteri me vlerë 400 mijë Euro, celularë të enkriptuar, kompjutera dhe sende të tjera.

 

Të përfshirë në këtë aktivitet janë edhe shtetas kinezë. Ndërsa dy shqiptarë konsiderohen si drejtuesit e organizatës kriminale.

 

Operacionin në fjalë e komentoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij në Kuvend ai njoftoi operacionin që po kryenin autoritetet spanjolle për bandën shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *