E martë, 6 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Goditet ambasada amerikane në Irak, Teherani sulmon edhe fqinjët, SHBA përgjigjet duke bombarduar ishullin e naftës

Ambasada e SHBA-ve në Bagdad është goditur nga një raketë.

Është hera e dytë që ambasada amerikane në Irak sulmohet që nga fillimi i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit.

Reklamë

Sakaq, Teherani ka vijuar me sulme të vazhdueshme me raketa dhe dronë në të gjithë rajonin e Gjirit, pavarësisht protestave të përsëritura nga fqinjët e tij. Goditjet e Iranit shënjestruan disa vende, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Ndërkohë, Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane “kanë shkatërruar” objektiva në ishullin iranian Kharg, ku ndodhet terminali kryesor për eksportin e naftës së Iranit. Megjithatë, ai pretendon se janë goditur vetëm objektiva ushtarake dhe jo terminalet e naftës.

“Pak çaste më parë, sipas udhëzimeve të mia, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ekzekutoi një nga sulmet më të fuqishme bombarduese në historinë e Lindjes së Mesme dhe shkatërroi plotësisht çdo objektiv ushtarak në perlën e kurorës së Iranit, ishullin Kharg. Armët tona janë më të fuqishmet dhe më të sofistikuara që bota ka njohur ndonjëherë, por, për arsye dinjiteti, unë kam zgjedhur të mos e shkatërroj infrastrukturën e naftës në ishull. Megjithatë, nëse Irani, ose dikush tjetër, bën diçka për të ndërhyrë në kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, unë do ta rishqyrtoj menjëherë këtë vendim”, tha Trump.

Në përgjigje, Teherani paralajmëron se infrastruktura e naftës dhe energjisë që u përket kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-të do të “kthehet në një grumbull hiri” nëse sulmohen objektet energjetike të Iranit.

Rreth 90% e eksporteve të naftës së Iranit kalojnë përmes këtij ishulli, duke e bërë atë një linjë jetike ekonomike për Teheranin.

Nga ana tjetër, sulmet ajrore izraelite kanë goditur edhe objektiva që nuk lidhen drejtpërdrejt me Hezbollahun.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se të paktën 12 punonjës shëndetësorë, përfshirë mjekë dhe infermierë, janë vrarë pasi gjatë natës u godit qendra kryesore e kujdesit shëndetësor.

Tel Avivi ka bombarduar gjithashtu infrastrukturë tjetër civile, përfshirë rrugë dhe ura. Ndërkohë, pothuajse e ka dyfishuar zonën e vetëshpallur të evakuimit në jug të vendit, duke u bërë thirrje qindra mijëra banorëve të tjerë që të largohen dhe të drejtohen drejt veriut. Atje, organizatat humanitare dhe institucionet shtetërore libaneze po përballen me vështirësi për të menaxhuar fluksin e madh të personave të zhvendosur.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë