Policia e Kamzës ka finalizuar me sukses dy goditje të njëpasnjëshme ndaj shpërndarësve të lëndëve narkotike, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara me fokus parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarive të paligjshme në territor.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë zbuluar dhe goditur dy raste të shpërndarjes së kokainës në doza, të destinuara për shitje.
Në përfundim të veprimeve hetimore, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas:
F. P., 35 vjeç, E. S., 36 vjeç, të dy banues në Kamzë.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në automjetet e tyre, përkatësisht në zonën e Valiasit dhe në rrugën “Ismail Qemali”, u sekuestruan doza të lëndës narkotike të dyshuar si kokainë, të gatshme për shitje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Policia e Tiranës thekson se kontrollet në terren do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale, veçanërisht të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat urbane.




