Subscribe

Policia e Lezhës ka goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, në fshatin Gëziq, Rrëshen.

Si rezultat janë identifikuar dy vëllezës si autorë të këtij rasti. Njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

Kryetari i fshatit Gëziq dhe specialisti i pyjeve janë proceduar për shpërdorim detyre.

Gjithashtu është goditur një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Vinjoll, Kurbin dhe janë asgjësuar 288 bimë cannabisi.

Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, kryetari i fshatit Vinjoll dhe inspektori i pyjeve.

“Si rezultat i kontrolleve të kryera në të gjithë qarkun dhe i hetimeve me metoda proaktive, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, strukturat e DVP Lezhë kanë goditur 2 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike. Konkretisht:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë zbuluar në pyllin e fshatit Gëziq, një hapësirë që ishte përshtatuar për kultivimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 500 fidanë cannabisi në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, të cilët u asgjësuan nga Policia.

Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u identifikuan 2 autorët e dyshuar, shtetasit M. Gj., 35 vjeç dhe P. Gj., 32 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Gëziq. Shtetasi M. Gj. u vu në pranga, ndërsa shtetasi P. Gj. u shpall në kërkim.

Gjithashtu, për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin Gj. B., 63 vjeç, kryetar i fshatit Gëziq dhe për shtetasin P. Ç., 65 vjeç, specialist pyjesh për zonën e Gëziqit.

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë gjetur në territorin e fshatit Vinjoll, Kurbin, 288 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vinjoll, shtetasin I. B., 52 vjeç dhe për shtetasin M. Gj., 36 vjeç, inpektor pyjesh në fshatin Vinjoll.

Megaoperacioni kombëtar “Territor i pastër” vijon.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *