E premte, 9 Tetor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Gjyqtari i Fierit u kërcënua nga “Ben Qimja”, reagon Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë: Të vihet para përgjegjësisë autori

Gjyqtari i Fierit, Vladimir Cjapi dhe familjarët e tij, janë marr në mbrojtje, pas denoncimit për kanosje nga shtetasi Arben Isufaj, i njohur si ‘Ben Qimja’.

Gjyqtari i Gjykatës së Fierit e ka bërë kallëzimin më datë 17 shkurt në Prokurorinë e Fierit.

Reklamë

Pas ngjarjes ka reaguar Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Përmes një deklarate, Unioni, pasi u njoh me njoftimin në media se gjyqtari i Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Fier është kanosur me jetë për shkak të detyrës së tij si gjyqtar në këtë Gjykatë, ka dënuar me forcë çdo lloj përpjekje e veprim që kanos jetën, shëndetin, pronën e gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre.

Reklamë

Unioni u ka bërë thirrje organeve të ndjekjes penale të veprojnë sa më shpejt për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë e për të vënë përpara përgjegjësisë penale autorin e dyshuar.

“Unioni shpreh shqetësimin për klimën e urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe pasigurisë të krijuar kohët e fundit në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, pasi deklaratat e veprimet që ndikojnë në krijimin e kësaj klime dhe pasigurie, po kthehen në fenomen shumë të rrezikshëm, jo vetëm për sigurinë e gjyqtarëve por, edhe për vetë shtetin e së drejtës e sundimin e ligjit në vendin tonë.

Unioni bën thirrje për shmagien e këtij fenomeni pasi, nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend.

Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal në luftën kundër çdo fenomeni antiligjor dhe joetik të vërejtur në punën dhe jetën e përditëshme të gjyqtarëve, sikurse dëshiron të theksojë edhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend”, thuhet në deklaratë.

Pas denoncimit të gjyqtarit Vladimir Cjapi, forcat RENEA zhvilluan kontrolle në ambientet dhe automjetet, në pronësi të Arben Isufajt, të shpallur në kërkim si autor i këtij rasti.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek multifuksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë.

Janë shoqëruar në polici disa shtetas (me lidhje me shtetasin e shpallur në kërkim).

Arben Isufaj është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë