I prerë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se askush nuk mund të pengojë banorët e “Astirit” që të protestojnë. Përmes një reagimi në “Facebook” për procesin gjyqësor ndaj Klevis Balliut dhe disa protestuesve, Basha tha se e gjitha kjo bëhet për të frikësuar qytetarët.

 

“Prokuroria e kapur dhe e bërë palë me vjedhjen, nuk heton dhe ndëshkon hajdutët e 40 milion eurove në aferën e Unazës së Re, por përndjek dhe merr të pandehur qytetarët që protestojnë kundër hajdutërisë dhe babëzisë së qeveritarëve të korruptuar. Marrja si të pandehur nga prokuroria e përfaqësuesit të opozitës Klevis Balliu dhe të qytetarëve Seit Hajderasi, Lulzim Maqinaj, Ilir Katiraj dhe Elton Skënderaj pse protestojnë për të mbrojtur shtëpitë dhe fëmijët e tyre, është akt politik, për të frikësuar qytetarët që kundërshtojnë arbitraritetin dhe hajdutërinë e Edi Ramës.”

 

Lideri demokrat paralajmëroi se reagimi qytetar do të vijë duke u rritur çdo ditë e më shumë.

 

“Në emër të Partisë Demokratike dua të bëj të qartë se 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës nuk ka prokurori politike që mund të ndalë qytetarët e lirë të protestojnë ndaj arbitraritetit të Qeverisë. Nuk ka prokuror apo gjykatës të korruptuar që mund të frikësojë opozitën të jetë përkrahë qytetarëve dhe të denoncojë aferat kriminale e korruptive të Edi Ramës dhe ministrave të tij. Akte të tilla na dëshmojnë edhe njëherë sesa e drejtë dhe jetike është beteja jonë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Denoncimi dhe reagimi ndaj korrupsionit, lidhjeve të krimit të organizuar me Edi Ramën dhe regjimin e shërbëtorëve të tij, nuk ka për t’u ndalur!”

 

Akuza të ngjashme u artikuluan edhe nga demokrati Klevis Balliu këtë të mërkurë pas shtyrjes së seancës për protestën e “Astirit”. Sipas tij, sot lirohen njerëz të dënuar përjetësisht, ndërsa qytetarët e thjeshtë enden nëpër gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *