Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar informacion SPAK-ut nëse ndonjë prej anëtarëve të saj është në hetim apo jo. Kryetarja e gjykatës Holta Zaçaj gjatë një komunikimi me gazetarët sqaroi se pas lajmeve të publikuara në media se gjyqtarët kushtetues janë vendosur në përgjim, iu drejtua me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit.
“Trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion. Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”, tha Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese përsëriti se vendimi për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka duhej zbatuar dhe parlamenti duhet ta kishte çuar mandatin e saj në kushtetuese.
“Kjo do të thotë se nëse Gjykata ka thënë fjalën e fundit për një çështje të caktuar, asnjë organ tjetër nuk mund ta vërë në diskutim apo të vlerësojë vendimin e saj. Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës do të cenonte të gjithë strukturën e të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në Kushtetutë, duke përbërë një precedent të rrezikshëm, përveçse një tregues për nivelin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës”, tha Zaçaj.
Por gjyqtarja Zaçaj pranoi se kushtetuesja nuk ka mekanizma në dorë për zbatimin e vendimeve, por është ligji që parashikon pasoja kur këto vendime nuk zbatohen
“Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i dënueshëm sipas dispozitave të Kodit Penal”, tha Zaçaj.
Me vendimin e kolegëve të saj Holta Zaçaj mbyll mandatin e saj në krye të Gjykatës Kushtetuese në 25 mars dhe ajo vetë preferoi të mos bëjë komente mbi një vendim përfundimtar të gjykatës kushtetuese./vizionplus.tv





