Gjykata franceze rrëzon kërkesën për liri të Ermal Beqirit, e lë në qeli

Gjykata e Amiensit në Francë ka rrëzuar kërkesën e Ermal Beqirit për lirim.
Mediat franceze raportojnë se biznesmeni Beqiri, i kërkuar nga drejtësia shqiptare, i ishte drejtuar tre ditë më parë gjykatës me një tjetër kërkesë për lirim, e cila është refuzuar këtë të premte.
Kujtojmë se Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë i është drejtuar me një kërkesë zyrtare autoriteteve franceze për ekstradimin e Ermal Beqirit.
Kujtojmë se Ermal Beqiri, i cili ishte arratisur në Francë për t’i shpëtuar përballjes me ligjin dhe akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, është arrestuar më 25 korrik nga autoritetet franceze, pasi, me një avion privat të marrë me qira, shkeli hapësirën ajrore në një zonë me siguri të lartë, konkretisht mbi një central bërthamor, duke ngritur alarmin te autoritetet franceze për një sulm të mundshëm.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i autoriteteve, të cilat, me një avion luftarak, kanë urdhëruar ndalimin e tij në pistën më të afërt. Sapo ka zbritur nga mjeti fluturues, Ermal Beqiri është arrestuar dhe dërguar në paraburgim.
Gjatë kontrollit fizik, atij i janë gjetur tri pajisje teknologjike të fshehura në trup, të cilat, në fakt, janë pajisje gjurmuese që mundësojnë përcaktimin e vendndodhjes së personave që i disponojnë. Autoritetet franceze kanë pasur dyshime se mund të ketë pasur presion nga dikush tjetër, i cili mund ta ketë porositur fluturimin. Në dëshminë e tij, Beqiri i tha policisë franceze se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit, pasi ishte në një telefonatë me nënën e tij.




