Gjykata Evropiane e Drejtësisë, është shprehur se Britania e Madhe,  mund të anulojë njëanshëm BREXIT-in, duke shtuar shpresat e pro evropianëve para votimeve në parlamentin britanik për marrëveshjen e kryeministres Theresa May, për largimin nga Bashkimi Evropian.

 

Vetëm 36 orë para votimit të së martës, Gjykata tha se Londra mund të tërheqë njëanshëm dhe pa dënime artikullin e 50 për largimin nga BE-ja.

 

Ndërkohë nga ana tjetër qeveria e kryeministres May, ka theksuar se vendimi nuk do të thotë asgjë meqë nuk ka e ka ndërmend të tërheqë vendimin për t’u ndarë nga Bashkimi Evropian më 29 mars. Por, kritikët e marrëveshjes thonë se vendimi ofron mundësi që ose të shtyhet BREXIT-i dhe të rinegociohen kushtet e largimit, ose të anulohet nëse votuesit britanik ndërrojnë mendje.

 

“Mbretëria e Bashkuar është e lirë të anulojë në mënyrë të njëanshme njoftimin për qëllimin e saj për t’u tërhequr nga BE-ja. Një anulim i tillë, i vendosur në përputhje me kërkesat e kushtetuese, kombëtare, do të kishte efektin që Mbretëria e Bashkuar të mbetet në BE nën kushte të pandryshuara”.

 

E ardhmja e BREXIT-it mbetet thellësisht e pasigurt pasi dhjetëra ligjvënës janë zotuar publikisht të votojnë kundër marrëveshjes së kryeministres May.

 

Në referendumin e 23 qershorit të vitit 2016, 17.4 milionë votues apo 52 për qind, mbështetën BREXIT-in, ndërsa 16.1 milionë apo 48 për qind votuan për të mbetur pjesë e bllokut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *