Dënohet ish-deputeti Jurgis Çyrbja me 3 vite burg, do të qëndrojë dy vite në qeli
Shpallet fajtor ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja. Ai u dënua nga Gjykata e Posaçme me tre vjet heqje lirie. Mbi të rëndojnë akuzat e nxjerrjes së sekretit shtetëror, përkrahje e autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje. Por ish-deputeti përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 2 vjet burg.
Konkretisht bëhet fjalë për dekonspirimin e aksioneve policore, nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe informacione të tjera për të ndihmuar personat në kërkim që të mos kapeshin.
Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet i kuvendit.
I njëjti dënim me tre vjet burgim, si edhe për ish-deputetin, u dha edhe për Altin Hajrin, për dy vepra, atë të korrupsionit dhe tregimit të sekretit shtetëror. Në përfundim ai do të vuajë 2 vjet heqje lirie.
Altin Hajri ndërkohë vijon që të jetë në kërkim, në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, i cili dyshohet se u dhunua për vdekje në Kompleksin Golden në Shijak, kompleks në pronësi të Hajrit.
Ndërsa për Ahmet Mashën, një tjetër person i përfshirë u dha një dënim me 2 vjet e gjashtë muaj burg, që zbret në 1 vit e tetë muaj.
SPAK i vuri të tre përpara përgjegjësisë ligjore nga rënia e SKY ECC për tetë episode gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021.



