Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri deklaroi se qeveria shqiptare po bën çdo gjë për të mbrojtur buxhetet familjare nga kriza e çmimeve që ka prekur gjithë botën.

 

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Gjiknuri theksoi se pavarësisht situatës botërore si pasojë e luftës në Ukrainë, buxheti i shtetit është ai që kompenson të gjithë efektet e çmimit të energjisë.

 

Kjo fashë sot është e përkohshme për një periudhë shumë të kufizuar që lidhet me një krizë. Nuk ka për qëllim të ngarkojë konsumatorin. Në Shqipëri kjo krizë nuk po ndjehet te buxhetet familjare kriza. Dhe të gjithë riskun, e mban buxheti i shtetit. Buxheti i shtetit është ai që kompenson të gjithë efektet e çmimit të energjisë. E kemi bërë vetëm e vetëm që ti vijmë në ndihmë konsumatorit, të mbrojmë biznesin prodhues. Këtë kosto e ka mbajtur buxheti i shtetit dhe qeveria. Përse? Në mënyrë që të mbajë veprimtaritë prodhuese hapur dhe të mos kemi një krizë më të madhe ekonomike. Këto janë masa sociale. Janë masa që na kushtojnë por që shkojnë në dobi të konsumatorëve”, nënvizoi ai.

 

Gjiknuri tha se ishte pikërisht qeverisja demokratike ajo që falimentoi sektorin energjetik shqiptar.

 

“Të flasë Partia Demokratike për temën e energjisë është si të flasë varrmihësi për shëndetin e kufomës. Këtë e kam për Saliun sepse ai qe varrmihësi i sektorit energjetik. Unë kam pasur rastin ta përjetoj sepse më qëlloi të isha ministër në atë kohë kur dorëzuat qeverinë dhe pashë sesa thellë e kishit futur ‘kufomën energjetike’ në varr dhe sesa mund u desh për ta ngjallur atë. Ju zotërinj nuk duhet të flisni për energjinë sepse gjysma energjisë në kohën tuaj, vidhej dhe humbej. Ju e shitët sektorin energjetik. Ju e falimentuat OSHEE, CEZ-in e asaj kohe. Kur flisni për çmime dua t’ju them disa fakte që mbase koha ka bërë që njerëzit ti harrojnë por dua ti kujtoj. Ju që mburreni për fashat e energjisë, ju jeni ata që e futët fashën e energjisë. Ju jeni ata që e rritët çmimin e energjisë nga 4.4 lekë në 7 lekë. Kur e privatizuat fashën e latë 13.5. Dhe e dini sa ju dilte çmimi mesatar?, ju dilte 9.7 lekë”, deklaroi Gjiknuri.

 

Në cilësinë dhe të ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ai theksoi se qeveria e Partisë Socialiste gjatë këtyre tetë viteve ka dyfishuar kapacitetet prodhuese.

 

U treguam largpamës. Vendosëm një bazë mbrojtëse, pra një dysheme mbrojtëse por vendosëm dhe një kapak apo tavan, që kur të vinin krizat, fatura të mos i shkonte publikut. E dini se për gati 2 terra që prodhohen sot, nëse do të ishte formula e famshme e Sali Berishës, që s’është këtu, e di sa do paguante sektori energjetik shqiptar? Minimalisht 500 milionë euro më shumë. Do të ishte drejt falimentimit. Dhe kjo është nisur prapë jo për të ndihmuar privatin, oligarkun apo biznesin, po për t’i dhënë biznesit qëndrueshmërinë në rritjen e tij, por njëkohësisht për të mbrojtur tarifat e energjisë. Se një sfidë ka Shqipëria që e ka sfidë çdo qeveri: si të mbash nën kontroll tarifën e energjisë”, deklaroi ai, teksa shtoi se humbjen në rrjet janë zvogëluar.

 

Gjiknuri solli skandalin e privatizimeve gjatë qeverisjes në PD duke shitur nën kosto HEC-et.

 

Ju shitët 87 mega Bistricën, Shkopetin, Ulzën, hidrocentrale të investuara. Kreditë e marra nga Koorporata Elekro-Energjetike, kredi që kam përshtypjen vazhdojnë të paguhen dhe sot, se kur isha ministër vazhdonin paguheshin. A e dini me sa i shitët? Me 1. 3 milionë euro mega, ndërkohë hidrocentralin që është afër Dajtit, Lanabregasin, e shitët me 3 milionë euro mega. Pra, tamam një shitje nën vlerë dhe çfarë hidrocentralesh të rinovuara dhe sidomos ato të Bistricës, ato si TEC-e gjithmonë kanë ujë. Ky është një krim që e keni bërë sektorit energjetik. A e dini se po ti kishim sot ato HEC-e, nuk do të kishe fare nevojë kjo fashë, po të ishin ato 80 mega që ju keni shitur në mënyrë kriminale. Sot nuk do të kishe nevojë fare për atë fashën”, deklaroi Gjiknuri.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri u shpreh se kjo fashë do të jetë e përkohshme.

 

Shpresojmë dhe për ndonjë rregullim të çmimeve ndërkombëtare, ne do të kemi mundësi që këtë fashë të mos e implementojmë. Kjo është shpresa ime. Megjithatë një gjë duhet theksuar. Vjen për një periudhë të përkohshme dhe jo me atë qëllimin që keni pasur ju kur vendosët fashën 13.5 lekë, si e si t’i krijoni të ardhurat CEZ-it që e privatizuar dhe që e kishit klient. Dhe që po të vazhdonte ajo skemë privatizimi , ta dinë të gjithë shqiptarët, çmimi I energjisë të asaj kohe do ishte 1 lekë më i lartë se sot. Nëse sektori do të ishte në duart e privatit, nuk do kishte burrë nëse ta mbronte më publikun shqiptar nga ajo masakër që ju bëtë. Kjo është e vërteta. Mos hapni histori me CEZ, me DIA se energjia sa më shumë të futësh duart e ajo që keni bërë ju, aq e tmerrshme është. 1.3 miliard dollarë i latë borxhe”, tha Gjiknuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *