Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri siguroi se Partia Socialiste do të jetë një mbështetëse e madhe e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë takimit me drejtuesit e rinj të PS, ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama, Gjiknuri theksoi se Partia Socialiste është forca që ka kontribuar më shumë për integrimin.

 

“Shqipëria është në një moment të rëndësishëm historik. Tashmë Shqipëria është një hap shumë më afër Bashkimit Europian. Sapo kemi filluar negociatat. Natyrshëm, qeverisë shqiptare i del një barrë e rëndë, një detyrë e madhe për të përballuar një proces shumë të vështirë dhe këtë duhet ta pranojmë. Unë jam i bindur që Partia Socialiste do të jetë një mbështetëse e madhe e këtij procesi. Jemi partia që kemi kontribuar më shumë për integrimin. Jemi partia më demokratike e këtij vendi dhe me rezultatet më positive që duhet të na bëjnë të gjithë krenarë. Unë them që edhe një meritë për procesin e integrimit e ka kjo parti pavarësisht se disa të tjerë nuk duan ta pranojnë këtë fakt”, deklaroi Gjiknuri.

 

Ai u kërkoi kryetarëve të rinj që të nisin menjëherë punën nga riorganizimi për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore.

 

“Partinë Socialiste e presin sfida të mëdha. Jo vetëm sepse jemi në mandatin e tretë dhe mandati i tretë ka sfidat e tij dhe këtu duhet të jemi të gjithë dakord, por sepse Partia Socialiste duhet të jetë një organizatë që gjithmonë rigjenerohet, vetë-organizohet shpesh dhe vetë-kritikohet gjithmonë me qëllimin për të bërë më të mirën. Zgjedhjet vendore do të jenë në muajin prill kështu që nga shtatori do fillojmë punën e përgatitjeve elektorale ku jam i bindur që ne do të dalim përsëri fitues ashtu siç e kemi traditë gjithë këto vite”, theksoi Gjiknuri.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS vlerësoi përfundimin në kohë të përzgjedhjes së gjithë drejtuesve të rinj në të gjitha bashkitë e vendit. Ai theksoi se tashmë i hapet rruga dhe përzgjedhjes së kryetarëve të këshillave socialist.

 

“Ishte një proces shembullor, ballafaques, shumë i shëndoshë demokratik për Partinë Socialiste. Patëm mundësinë që të gjithë kandidatët për kryetar partie të ballafaqoheshin me anëtarësinë, të paraqisnin platformat e tyre. Fillojmë fazën tjetër intensive të atij procesi që tashmë ka filluar në të gjitha nivelet që ka të bëjë me përzgjedhjen e kryetarëve të këshillave socialistë. Kryetarët e partive së bashku me deputetët kanë filluar procesin e organizimit të dëgjesave. Synojmë që brenda muajit të realizojmë të gjitha dëgjesat. Më pas do bëhet përzgjedhja, sikurse e ka statuti, nga drejtuesit e partisë të saposzgjedhur së bashku me asambletë përkatëse”, nënvizoi Gjiknuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *