Subscribe

Përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri pranoi se palët politike nuk kanë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR në reformën zgjedhore. Deklaratën ai e bëri gjatë një interviste për emisionin “Quo Vadis” në “Vizion Plus”. Gjiknuri tha se kjo erdhi për hir të marrëveshjes politike me opozitën jashtëparlamentare.

 

“Në ndryshimet e 5 qershorit nuk janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. Aty më shumë u shkua drejt një marrëveshje politike me qëllim që opozita të ndjente rehatinë e saj për të hyrë në zgjedhje, por rekomandimet u anashkaluan. Ndryshimet e fundit që u votuan në Kuvend nuk kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-ODHIR, janë për ndryshimet kushtetuese. Ne duam që partitë opozitare të ndjejnë barazinë e garës dhe të futen në garë. Nuk duam të bojkotojnë procesin përsëri. Për zgjedhjet politike me e rëndësishme është besimi tek gara.” 

 

Damian Gjiknuri garantoi se votimi i sotëm në Parlament, i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, nuk cenon marrëveshjen e 5 qershorit.

 

“Procesi qe i vështirë sepse ne kishim dëshirë për të adresuar rekomandimet e ODIHR. 5 qershori nuk flet për asnjë pikë për këto që flasim ne sot. 5 qershori nuk ka adresuar çështjen e koalicioneve dhe hapjen e listave, Këto ngjarje ndodhën më vonë. PD bëri luftën e saj, ndryshimet kushtetuese ndodhën. Tani si mendoni, ndryshimet kushtetuese ne nuk duhet t’i zbatojmë?”

 

Sa i takon pikës shumë të debatuar, kandidimit të kryetarit të partisë në katër zona zgjedhore, Gjiknuri tha se ky është një model që aplikohet edhe nga vende të tjera.

 

“Ky është një kompromis i bërë me opozitën parlamentare dhe e kanë edhe vendet e tjera. Në 2009 ishin lista të mbyllura, këtë herë janë të hapura. E rëndësishme është që do të mbahet një mandat. Është një formulë kompromisi, nuk prish punë se janë listat e hapura.”

 

Socialisti Damian Gjiknuri shtoi se me hapjen e listave, procesi i numërimit të votave ndërlikohet paksa. Por ai nënvizoi se kjo duhet të shërbejë si një shtysë për të shkuar drejt numërimit elektronik.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *