Papa Françesku po “i përgjigjet mirë” trajtimit që i është nënshtruar për pneumoni të dyfishtë dhe nuk ka ethe, njoftoi Vatikani në deklaratën e fundit për shëndetin e Papës.
Siç thuhet në njoftim, gjendja e Papës 88-vjeçar, i cili u shtrua në Spitalin Agostino Gemelli në Romë më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator, po tregon “përmirësim gradual, të lehtë”.
Papa Françesku: “Ju falënderoj nga zemra për lutjet”
Këtë javë, në mesazhin e tij me shkrim për fillimin e Kreshmës dhe të Mërkurën e Hirit në Kishën Katolike, kreu i Kishës Katolike Romake u bëri thirrje besimtarëve që të mos kenë frikë nga vdekja, por ta përballojnë atë.
Mesazhi i Papës u lexua nga kardinali Angelo De Donatis dhe merr një kuptim më të thellë, duke pasur parasysh sprovën e tij.
“Ne jemi bërë nga pluhuri dhe hiri.Ne e kuptojmë menjëherë se sa të brishtë jemi, me përvojën e sëmundjes, varfërisë, sprovës që ndonjëherë befas na godet ne dhe familjet tona”, shtoi Françesku në mesazhin e tij.





