Gjenden celularë në burgjet e Fierit dhe Peqinit, nis hetimi për dy efektivë

Kontrollet e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, kanë zbuluar sende të ndaluara në burgun e Fierit dhe Peqinit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në IEVP Peqin, në sendet personale të të burgosurit F. Ç. është gjetur një aparat celular.
Pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, nga AMSEVP është bërë arrestimi në flagrancë i të burgosurit F. Ç., i dyshuar për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.
Në kuadër të të njëjtit rast janë proceduar në gjendje të lirë edhe të burgosurit M. H., L. Gj., I. L. dhe F. A., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, në gjendje të lirë janë proceduar edhe shtetasit Sh. K. dhe E. J., me detyrë punonjës policie në IEVP Peqin, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Celular edhe në IEVP Fier
Kontrollet kanë vijuar edhe në IEVP Fier, ku në ambientet e dhomës së të burgosurit R. K. është konstatuar një aparat celular.
Për këtë rast, i burgosuri R. K. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.
Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë edhe i burgosuri E. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale do t’u dërgohen për veprime të mëtejshme Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Fier.




