Subscribe

Për të gjashtin vit me radhë, Baldushku është kthyer në tregun tradicinal të gjelave të detit.

 

Në prag edhe të festave të fundvitit shumë qytetarë kanë zgjedhur këtë treg për blerje. Kreu i bashkisë së bashku me ministren e bujqësisë apeluan se blerja e shpendëve jo vetëm ndikon në ekonominë e zonës, por mbi të gjitha ata janë rritur në mënyrë të shëndetshme.

 

“Fermerët janë subvencionuar më shumë këtë vit për çdo krerë, ka pasur më shumë kujdes mjekësor. Fakti që analizat e gjelit tregojnë se nuk kanë toksina, as antibiotikë, e bëjnë të gatshëm këtë produkt – edhe nga ana ligjore të bëjnë certifikimin si një produkt organik – që fama, reputacioni dhe ekonomia që gjeneron gjeli i Baldushkut të shkojë përtej Tiranës dhe të kemi mundësinë që këtë brand ta çojmë, jo vetëm në të gjithë Shqipërinë dhe rajon, por edhe më tej në Europë. Kur mendoj se sa shumë mish të ngrirë konsumojmë, që vjen nga Argjentina dhe Brazili, me gjithë respektin për to, por ja ku kemi katundet tona, ushqimin tonë bio, që e certifikojmë vetë, e kontrollojmë vetë dhe e shikojmë vetë me sy, e dimë kur është koha për konsum, cilat janë analizat. Ndaj, besoj fort se gjithnjë e më shumë njerëzit po bëhen të ndjeshëm, që edhe paranë e tyre ta konsumojnë, jo vetëm për patriotizëm brenda vendit, por edhe për cilësi brenda vendit”, deklaroi kreu i Bashkisë.

 

Ministrja Krifca tha se po punohet për ta markuar gjelin e Baldushkut, duke e regjistruar atë si produkt autokton.

 

“Më vjen shumë mirë që ky treg është bërë traditë e çdo fundviti, sepse gjeli i Baldushkut përbashkon familjet shqiptare. Gjeli i Baldushkut do të jetë në programet tona të punës, për t’i dhënë edhe shumë vlerë, duke e regjistruar si produkt, si një markë cilësie. Këtu do të jenë veterinerët tanë. Më vjen mirë të konstatojmë prej tyre se nga analizat e bëra nuk ka pasur asnjë mbetje antibiotikësh në product, që do të thotë se bëhet fjalë për një produkt të mirëmbajtur, organik, të rritur me prodhime të shëndetshme. Ftesa ime për të gjithë konsumatorët shqiptarë, sidomos për qytetarët e Tiranës, është të vijnë dhe të blejnë gjelin e Baldushkut këtu në Baldushk. Më erdhi mirë të shoh që një pjesë e tyre janë të shitur, kështu që ju duhet të nxitoni që të bëni porosinë tuaj,” ishte thirrja e ministres Krifca.

 

Sipas të dhënave këtë vit pritet të shiten në treg 45 mijë shpendë të zonës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *