Gjebrea: Prioritet sistemimi i familjeve të prekura, grupi i ekspertëve vijojnë vlerësimin e dëmeve
Kanë kaluar katër javë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, dhe opozita ka lenë mënjanë heshtjen dhe ka artikuluar akuza të forta për qeverinë.
Partia Demokratike në akuzat e saj thekson se Rama ka dështuar në menaxhimin e pasojave, por qeveria ndërkohë po vijon me masat konkrete të fokusuara tek rindërtimi.
Deputetja e Partisë Socialiste Elona Gjebrea në një intervistë për edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus është shprehur se prioriteti kryesorë është sistemimi i të gjithë familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndër të tjera në fjalën e saj deputetja Gjebrea ka theksuar se në asnjë moment nuk ka nevojë për alarm pasi grupet e ekspertëve janë në terren dhe po punojnë për vlerësimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Sot qeveria u mblodh në Durrës ku ministrat takuan edhe disa nga të prekurit: edhe sa kohë do qëndrojnë familjet nëpër hotele?
Tërmeti ishte shumë i fortë me efekte shkatërruese në disa zona dhe pjesa më e trishtë është humbja e jetëve në këtë tërmet. Nga ana tjetër se çfarë ka bërë qeveria e kemi parë të gjithë, qeveria ëstë angazhuar maksimalisht me në krye kryeministrin dhe gjithë plani i emergjencës dhe i rindërtimit është si rezultat i një gadishmerie të qeverisë. Sot të gjithë grupet janë në terren janë duke punuar sipas problematikave në zona të caktuara, edhe në mbledhjen e sotme kryeministri e tha qartë se çfarë pritet deri në pranverë dhe në vijim. Këshillat bashkiakë kanë qenë të shpejtë në mënyrë që familjet e dëmtuara të marrin fondet e nevojshme.
Një ndër problemet më të mëdha është në fshatra ku familjet nuk mund të lëvizin për shkak të tokës dhe të bagëtive jetojnë në çadra por është dimri para. Si do zgjidhet ky problem?
Sigurisht se kemi një dimër përpara dhe padyshim se ky është dhe prioritet i qeverisë që të gjithë ato familje që për arsye nga më të ndryshmet janë të pasistemuara nëpër banesa të sigurta dhe jo në tenda dhe çadra do të kenë prioritet. Për këtë janë duke u marrë të gjithë njësitë përkatëse pikërisht me sistemimin e tyre rast pas rasti sipas një plani. Nga momenti i parë që ne i kishim njerëzit në kampe dhe njerëzit në ambjente të hapura tashmë kemi sistemim të tyre. Prioriteti ynë është që çdo person çdo familje të jetë e sistemuar në ambjente të sigurta dhe të përshtatshme për një dimër që tashmë ka trokitur.
Çfarë ka ndodhur me ndërtesat e rikostruktuara një ose dy vite me parë që u denoncuan nga opozita, konkretisht shkollat e rikonstruktuara në Tiranë, por dhe ndërtesa të tjera në Durrës, Lezhe etj, çfarë ka ndodhur me këto ndërtesa a duhet të ketë një hetim për këtë?
Mendoj se grupi i ekspertëve të cilët janë në terren dhe po bëjnë çertifikimin dhe vlerësimin e banesave janë ato grupe që kanë edhe përgjegjësinë për të dhënë edhe përgjigjen përfundimtare në lidhje me dëmtimin e një banese. Nuk mundet askush as unë as ju apo dikush tjetër që nuk është specialist që të gjykojë mbi një që është plasaritje apo goditje që ne mund të shikojmë me një sy të lirë. Në qoftëse do të ketë probleme që kanë të bëjmë me moszbatim të rregullave sigurisht, padyshim që do të ndiqen procedurat sipas rregullave qoftë edhe në dënimet më të larta që mund të jenë. Për momentin ne duhet të lëmë ekspertët dhe grupeve të terrenit që të bëjnë punën e tyre dhe më pas të vijojë procedura siç duhet. Nuk ka nevojë për alarm por duhet të zbatojmë të gjitha rregullat dhe të lëmë kohën që ju duhet autoriteteve përgjegjëse.
Këtë vit Shqipëria ka marrë kryesinë e OSBE-së dhe ju sapo jeni kthyer edhe nga një udhëtim në Ukrainë. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Është një moment shumë i rëndësishëm moment historik, i cili duhet vlerësuar dhe përdorur sa më mirë që është e mundur. Presidenca që ne kemi tashmë do të thotë se Shqipëria do të japë zgjidhje dhe do të ndihmojë në zgjidhjen e shumë problematikave që janë të nxehta në rajonin që përfshin 57 vendet anëtare të OSBE-së padyshim Shqipëria ka ekspertizën e duhur, ka Taks Forcën e vet, ka një grup të krijuar ekspertës të cilët janë të gatshëm dhe mbështetës të të gjithë asaj që është parashtruar nga vendi. Jam e bindur se Shqipëria nën udhëheqjen e kryeministrit Rama që në këtë rast do të jetë edhe në pozicionin e Ministrit të Punëve të Jashtme do të arrijë që të ketë një model suksesi sikurse edhe vetë kryeministri e tha se suksesi ynë do të jetë suksesi i 57 vendeve të OSBE-së .




