Subscribe

Gjashtë qytetarë morën nënshtetësinë shqiptare në një ceremoni betimi në Bashkinë e Tiranës. kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ata i bashkohen një skuadre me një mision të përbashkët.

“Sot 6 qytetarë të rinj që i bashkohen kombësisë shqiptare, janë pjesë e kësaj skuadre si kontribues ndër vite, që tashmë do kenë edhe dokumentin identifikues të pasaportës së Republikës së Shqipërisë. Bashkohemi me një mision, dhe bashkimi me këtë mision kërkon që secili prej nesh të jetë kontribues”, deklaroi Veliaj.

Veliaj u ndal edhe te viti i kaluar kur Tirana ishte “Qyteti Europian i Sportit”, ku theksoi se ia ka vlejtur investimi në këtë fushë, për të prodhuar dy skuadra që do të përfaqësojnë Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare.

“Jam shumë entuziast këtë vit. Tirana është kryeqendra e gjithë Ballkanit. Ne kemi Presidencën e B40. Vitin tjetër do jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, do të ketë aktivitete pafund në Tiranë. Do mbarojmë Teatrin e Ri, do ketë shumë punë të tjera të bukura. Vjet ishim Kryeqyteti Europian i sportit. Ia vlejti gjithë ai investim në sport. Po çojmë një super skuadër në Gjermani, dhe po çojmë një super skuadër Olimpike në Paris. Me shpresë edhe aty do kemi disa lajme të mira.”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se gjatë gjithë verës do të punohet për të bërë  gati godinat që do të presin studentët në vitin e ri akademik./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *