Subscribe

Gjykata e Posaçme nisi procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, për çështjen e “Gërdecit”. Ndonëse në seancë pritej të jepej pretencë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, mbrojtja parashtroi disa argumente se pse çështja duhet të pushohet. Sipas avokatëve, veprat penale janë parashkruar, pasi kanë kaluar 12 vjet e dhjetë ditë. Mbrojtësit ligjorë, Henrik Ligori dhe Ardjan Visha, thanë se Fatmir Mediu, i marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme, nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite dhe prokuroria dështoi të formulonte akuzat, apo të gjente prova për një hetim të ri.

 

ARDIAN VISHA


AVOKAT

 

Pas gati 2 vjetësh hetime të reja të SPAK-ut që prodhuan zero rezultat, çështja është e pamundur për të vijuar më tej për shkak të parashkrimit.

 

Këto argumente u pritën me debat nga Zamira Durdaj, e ëma e 7-vjeçarit, Edison Durdaj, që humbi jetën në tragjedinë e 15 marsit të 2008. Ajo debatoi me trupën gjykuese, duke u shprehur se kërkon drejtësi për të birin.

 

Jashtë seancës, avokati i familjes Durdaj, Dorian Matlija, u shpreh se familjarët duhet të ishin palë në proces. Ai akuzoi togat e zeza, që sipas tij, nuk morën parasysh detajet e reja që ata do të paraqisnin gjatë gjykimit.

 

DORIAN MATLIJA

 


AVOKAT

 

Dëmi ekonomik erdhi nga shpërthimi. I njëjti shpërthim solli dhe viktima. Akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit nuk kanë sens. Ende nuk e dimë pse nuk jemi pjesë e procesit, ligji e thotë qartë që duhet të jemi. Arsyeja që më vjen ndërmend është se nuk do që ky proces të hyjë në detaje, kemi studiuar dosjen që prej 15 vjetësh, gjykata mesa duket do që t’i bie shkurt çështjes dhe nuk ka do nëpër këmbë. Është e disata herë që ndodh.

 

Ndaj ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, SPAK ka ngritur dy akuza, atë të shpërdorimit të detyrës, që nëse provohet fajësia, rrezikon deri në 7 vjet heqje lirie. Ndërsa akuza tjetër, ajo e shpërdorimit të detyrës sipas kodit ushtarak parashikon një dënim me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Seanca e radhës pritet të mbahet në datën 9 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *