Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi nisjen e procedurave të përshpejtuara për ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekaj. Drejtoria përkatëse në organin qendror të akuzës ka bërë gati dosjen, e cila pritet të kalojë përmes Ministrisë së Drejtësisë tek autoritetet gjermane, aty ku pronari i kompanisë Arbri Garden, u arrestua ditën e premte.
Burime zyrtare pohuan se ekstradimi pritet të bëhet në një kohë të shpejtë, duke mos krijuar zvarritje në ekstradim e po ashtu edhe për ti dhënë shtysë hetimeve për sasinë prej 613 kilogramë kokainë të zbuluar në një kontenier me banane dy muaj më parë në Durrës.
Arber Cekaj u arrestua të premten në një operacion të fshehtë në një provincë të Dyseldorfit në Gjermani. Ai fshihej në një banesë dy katëshe dhe në momentin e arrestimit nuk bëri rezistencë. Çekaj në Gjermani përdorte një identitet tjetër, duke shfrytëzuar mbiemrin Jansen te bashkëshortes së tij të huaj.
Arrestimi i Arbër Cekajt u përshëndet edhe kryeministri Rama dhe ministri i brendshëm Xhafaj, e po ashtu edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Vetë Ambasadori Lu e kishte paralajmëruar kapjen e tij pak para se të konfirmohej lajmi i arrestimit. Ndërsa më vonë, ambasada e ilustroi operacionin e policisë me kapjen e nje peshku të madh.
Aktualisht për trafikun e 613 kilogramëve kokainë janë në burg shoferi i kamionit, si dhe menaxheri i firmës. Të dy ata e kanë mohuar përfshirjen ne organizate, por megjithatë kanë mbetur në burg ku do të qëndrojnë deri në fund të hetimeve.